fbpx

“Do kalojmë në mbyllje më të madhe, nëse..,”, Policia thirrje qytetarëve pas protestave: S’do tolerojmë asnjë grumbullim

Policia e Shtetit iu drejtohet të gjithë qytetarëve me një mesazh të rëndësishëm, teksa thekson se nuk do të lejohet asnjë tubim, që bie ndesh me kornizën aktuale të masave shtrënguese.

Nisur nga protestat e ditëve të fundit kundër vrasjes së Klodian Rashës nga policia, uniformat blu bëjnë me dije se duhen respektuar masat e caktuara nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, ku mes të tjerash ndalohet grumbullimi i më shumë se 10 njerëzve, pasi në të kundërt vendi do të shkojë drejt një mbylljeje më të madh.

 

NJOFTIM I POLICISË SË SHTETIT

Në zbatim të Aktit Normativ, me qëllim respektimin e masave kundër COVID-it për shkak të gjendjen shqetësuese të shkaktuar nga pandemia, nga të gjithë shtetasit në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, për rritjen e sigurisë publike në tërësi nisur edhe nga protestat e fundit, kërkohet zbatimi i masave dhe i protokolleve të miratuara nga Komiteti i Ekspertëve dhe urdhrat e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

 

Policia e Shtetit është shumë e vetëdijshme për të drejtën e protestës dhe lirinë e pacenueshme të tubimit. Në kushtet e sensibilizimit të madh të shoqërisë pas tragjedisë së djalit njëzetepesë vjeçar që humbi fatalisht jetën, nga dora e një efektivi policie, Policia e Shtetit e ka pasur të pamundur ta anashkalojë ndjeshmërinë popullore për të mos lejuar asnjë tubim. Por tanimë kur drejtësia po kryen detyrën e saj ndaj autorit të vrasjes dhe kur protestat kanë degraduar në organizime që kanë për qëllim cenimin e rendit publik dhe pronës publike, Policia e Shtetit nuk do të tolerojë asnjë grumbullim që bie ndesh me kornizën aktuale të masave shtrënguese.

 

Bëjmë apel të mbahen parasysh nga të gjithë, kërkesat e akteve që i përcaktojnë masat shtrënguese për:

 Ndalimin e grumbullimeve me më shumë se 10 persona në vende të mbyllura apo të hapura, konferenca, tubime, mbledhje partiake, ceremoni festive etj. Mbajtjen e detyruar të barrierave mbrojtëse (maska), në ambientet jashtë shtëpisë;

 Ruajtjen e distancimit fizik gjatë veprimtarisë së përditshme;

 Zbatimin e masave nga administrata publike dhe në automjetet e transportit publik;

 Ndalimin e muzikës pas orës 20:00;

 Ndalimin e aktivitetit të bareve, lokaleve, restoranteve e ‘fast food’ pas orës 22:00 deri në orën 06:00;

 Kufizimin e lëvizjes së popullatës nga ora 22:00 deri në orën 06:00;

 Zbatimin e protokolleve në institucionet arsimore, në të cilat vazhdon kryerja e mësimit;

 Marrjen e masave administrative dhe atyre penale në rast të shkeljeve dhe mos-zbatimit të masave të veçanta në periudhën e pandemisë së COVID-19.

Në mënyrë që të mos kalojmë në një etapë tjetër të një mbylljeje përtej kufijve të deritanishëm, nga të gjitha institucionet që kanë detyrime, të vazhdohet me seriozitet maksimal zbatimi i Aktit Normativ për zbutjen e efekteve të pandemisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *