fbpx

“Je bërë ‘good guy’”, “mos aktroni kur reciprocitetin keni mundur ta bëni para 11 vjetësh” – përplasjet mes Kurtit dhe Haradinajt dhe gjithçka nga seanca e Kuvendit

Kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, janë përplasur në seancën e së enjtes të Kuvendit, lidhur me shtyrjen e zbatimit të vendimeve për targat në veri dhe reciprocitetin me letërnjoftime me Serbinë.

Haradinaj e ka quajtur Kurtin ‘good guy’ (djalë i mirë) dhe tha se i njëjti po vepron vetëm sipas direktivave të Bashkimit Evropian.

E në replikën e tij, Kurti tha se nuk është radikal në karakter, por vetëm ka bërë veprime radikale në të kaluarën kur sipas tij, situata ishte shumë e rrezikshme për shtetin.

Sa i përket ministrit serb, Goran Rakiq, Kurti u shpreh se “unë s’kam koalicion me Listën Serbe, por është obligim kushtetues”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i është përgjigjur opozitës, të cilët e kritikuan për vendimin që të shtyjë deri më 1 shtator implementimin e vendimeve për reciprocitetin me Serbinë, për letërnjoftimet dhe targat.

Duke iu drejtuar opozitës, Kurti ka thënë se “s’mund të aktrojmë nxitimin për një gjë që është tash e 11 vjet”.

Tutje, ka thënë se vendimi është marrë pasi fushata dezinformuese e Beogradit ishte e egër.

“Për shkak të fushatës së madhe të dezinformimit, kemi marrë kërkesë nga SHBA-ja që ta shtyjmë ekzekutimin e vendimit deri më 1 shtator. Pra, për shkak të fushatës së egër të Beogradit e jo për shkak të mungesës së fushatës tonë informuese”.

“Ne nuk besojmë që s’kemi bërë fushatë të mirë e të mjaftueshme. Për 10 minuta u ngritën 9 barrikada dhe u dëshmua edhe njëherë se janë të organizuara nga regjimi i Beogradit. Në rrethanat që ndodhemi, kemi marrë vendimin e duhur. Jemi të vendosur në atë që bëjmë dhe kemi mbështetjen e faktorit ndërkombëtar”.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës gjatë seancës të së enjtes ka miratuar në lexim të dytë 19 projektligje, ndër të cilat edhe atë për prodhimin, grumbullimin, përpunimin dhe tregtimin e duhanit dhe atë për përkujdesjen ndaj kafshëve. Disa prej projektligjeve janë mbështetur edhe nga deputetë opozitar.

Kuvendi ka miratuar edhe projektligjin për inspeksionin bujqësor dhe atë të produkteve për mbrojtjen e bimëve, më 61 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Kuvendi i Kosovës me 64 vota për ka miratuar në lexim të dytë edhe Projektligjin për financimin e subjekteve politike.

Kuvendi të enjten në orët e pasdites në mungesë kuorumi për vendimmarrje mbylli punimet, ndërkaq kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca bëri të ditur se deputetët do të shkojnë në pushim deri në fillim të muajit shtator.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *