fbpx

Katër dorëheqje nga LVV në Lipjan brenda dy ditëve

Lëvizja Vetëvendosje më 1 shtator ka hapur fushatën zgjedhore për nivelin e tretë organizativ.

Por, procesi zgjedhor në partinë më të madhe në vend i ka paraprirë katër dorëheqjeve në degën e subjektit në Lipjan.

Dy anëtarët e grupit punues në qendrën e LVV-së në Lipjan, Shkëlzen Bislimi dhe Fitim Sopjani si dhe asamblistët Fadil Spahiu e Fitim Meziu kanë dhënë dorëheqje brenda dy ditëve nga partia, për shkak të pakënaqësive të tyre me degën në Lipjan.

Përmes një postimi në Facebook, Bislimi teksa njoftoi për dorëheqjen tha se LVV-ja i ka bërë padrejtësi duke ia ndaluar edhe kandidaturën për kryetar të Qendrës.

Ai po ashtu ka thënë se është sabotuar nga disa eksponent të partisë së tij.

“Sa isha anëtar i Kuvendit Komunal, tentohej të minimizohej aktiviteti im brenda kuvendit duke mos publikuar fjalimet e mia në faqen zyrtare. Aktiviteti i këtij grupi përherë e ka pasur një mbështetje nga dikush i fuqishëm në Sekretariatin e Përgjithshëm në Prishtinë”, ka shkruar Bislimi.

“Në Lëvizjen Vetëvendosje pas zgjedhjeve nacionale të 14 shkurtit, ka filluar një luftë speciale ndaj njerëzve qe kanë dhënë kontribut kaherë, ka filluar mosrespektimi i demokracisë, i fjalës së lirë, i shprehjes së ambicieve për avancim brenda strukturave. Ky alamet “aktivisti” që krenohet me shfuqizimin e demokracisë brenda organizatës gjithmonë duke iu referuar termit pezhorativ ‘Demoklacia Demoklacia’”.

Gjatë ditës së djeshme për dorëheqje nga të gjitha pozitat në LVV ka njoftuar edhe Fitim Sopjani, kryetar i LVV-së, në pikën në Sllovi dhe anëtar i Grupit Punues Qendra në Lipjan.

“Pas zhvillimeve të fundit brenda procesit zgjedhor të LVV-së, kam kuptuar që Demokracia e shfaqur në publik, nuk paska qenë brenda strukturave, në momentin kur i rrezikohet pozita një individi ose grupacioni”, ka shkruar ai në Facebook.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *