fbpx

Kurti: Lajmet e rreme çuan në barrikada dhe pengim të lëvizjes së lirë në veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ripërsëritur deklaratën që dha ndje në mbledhjen e kabinetit, se lajmet e rreme kanë ndikuar që në veri të vendit të vendosen barrikada dhe të pengohet lëvizja e lirë.

Përmes një postimi në Twitter, Kurti ka rikujtuar rreziqet e dezinformimit, veçanërisht në lidhje me vendimet e ekzekutivit të Kosovës për vendosjen e reciprocitetit me Serbinë për targat dhe letërnjoftimet.

“Në mbledhjen e djeshme të kabinetit kam vënë në dukje rreziqet e lajmeve të rreme, veçanërisht në lidhje me vendimet tona për targat e makinave dhe dokumentet hyrëse-dalëse në pikat kufitare me Serbinë. Ky dezinformim çoi në barrikada dhe shkelje të lëvizjes së lirë në veri të Kosovës”, ka shkruar kryeministri.

Javën që po lëmë pas vendi u ballafaqua sërish me vendosjen e barrikadave në veri për shkak të paralajmërimeve se nga 1 gushti 2022 do të niste zbatimi i reciprocitetit me Serbinë për targat dhe letërnjoftimet.

Një ditë para se vendimi për reciprocitet të hynte në fuqi, serbët lokalë në veri të vendit filluan kundërshtimet e tyre duke vendosur barrikada në rrugët që çojnë në dy pikë kalimet kufitare me Serbinë – Jarinje dhe Bërnjak.

Përveç barrikadave në veri pati edhe të shtëna me armë zjarri të cilat u konfirmuan edhe nga Policia e Kosovës, e disa qytetarë edhe u maltretuan në kufi.

Në disa vende policia tha se është shtënë edhe ndaj njësiteve policore, por që nuk pati asnjë të lënduar.

Lidhur me situatën ka reaguar edhe KFOR-i, i cili u shpreh i gatshëm të intervenojë në rast se rrezikohej stabiliteti në veri të Kosovës.

“Gjendja e përgjithshme e sigurisë në komunat veriore të Kosovës është e tensionuar. Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO po monitoron nga afër dhe është i përgatitur të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti, në përputhje me mandatin e tij, që vjen nga Rezoluta 1244 e OKB-së e vitit 1999”, u tha në reagimin e KFOR-it.

Reagim për bllokimin e rrugëve nga serbët lokal, pati edhe nga Qeveria e Kosovës, të cilët përmes një njoftimi thanë se ka tendenca për destabilizim të vendit nga strukturat ilegale.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se masa e reciprocitetit nuk është e drejtuar kundër askujt, por në favor të qytetarëve pa dallim përkatësie.

Ajo ftoi qytetarët lokalë serbë, që të mos bien pre e propagandës së Beogradit.

Osmani theksoi se përpjekjet e Vuqiçit për destabilizim të Kosovës, i cili po shërbehet me metoda të mentorit të tij- Putinit, do të dështojnë.

Pas gjendjes në veri dhe Qeveria shtyu zbatimin e vendimeve.

Vendimi i Qeverisë për shtyrje të masës së reciprocitetit në rast të heqjes së barrikadave, erdhi pas një takimi që patën udhëheqësit e shtetit me ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *