fbpx

Osmani për Listën Serbe: Përfaqësojnë interesat kriminale, qëllimi i tyre është tensionimi i situatës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar sot (e mërkurë), se Lista Serbe është satelit i presidentit serb Aleksandar Vuçiq në Kosovë.

Presidentja shtoi se qëndrimet e Listës Serbe po i dëmtojnë më së shumti serbët që jetojnë në Kosovë.

“Lista Serbe nuk interesohet të shtyjë përpara të drejtat e komuniteteve, por interesohet të jetë satelit i Vuçiqit në këtë vend dhe kjo po i dëmton vetë serbët që jetojnë në Kosovë”, tha Osmani.

Presidentja shtoi se qëllimi i tyre asnjëherë nuk është paqja e stabiliteti.

“Qëllimi i tyre është tensioni e dhuna, për të gjithë ata që kanë këto synime përgjigja jonë e vetme është sundimi i ligjit”, u shpreh Osmani në një konferencë për media pas takimit me presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor.

Ajo tutje u bëri thirrje qytetarëve serbë që të mos bien pre e propagandës që burimin e ka në Rusi

“Çfarë po ndodh këto ditë është se qytetarët serb po kërcënohen nga strukturat ilegale, qytetarët serb nuk frikësohen nga unë por nga udhëheqësit e organizatave kriminale të cilët i kanë bllokuar dhe po i mbajnë peng në mënyrë që të krijohen tensione në stilin e Putinit. I ftoj qytetarët serb të mos bien pre e propagandës që burimin e ka në Rusi dhe tek njerëzit që i takojnë të kaluarës së Millosheviqit”, tha Osmani.

Osmani theksoi se ajo është presidente e të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *