fbpx

Përplasje në Kuvendin e Kosovës, deklarata e Albin Kurtit revolton opozitën: E dimë që je inteligjent, por…

Po zhvillohet mes debateve të forta seanca plenare në Kuvendin e Kosovës. Deklarata e kryeministrit Albin Kurti për rritje të ekonomisë në Kosovë gjatë vitit të kaluar, ka shkaktuar pakënaqësi dhe reagime nga partitë opozitare.

Kurti ka deklaruar se është e vërtetë që qytetarët paguajnë më shumë tatime, dhe kjo nënkupton performancë më të mirë të ATK-së por në anën tjetër gatishmëria e qytetarëve për të paguar më shumë tatime unë besoj që vjen se nuk shohin skandale të korrupsionit në Qeveri.

 

“Vitin e kaluar ATK ka inkasuar 588.3 milionë euro, që janë 121 milionë euro më shumë se në vitin e kaluar, dhe 84 milionë më shumë se në vitin 2019. Dogana gjithashtu vitin e kaluar ka grumbulluar 1.32 milionë euro, që janë më shumë se viti i pandemisë 2020, për 315.6 milionë euro dhe më shumë se në vitin 2019 për 196.9 milionë euro… Kemi rritur të hyrat kemi zvogëluar shpenzimet”, tha Kurti.

 

Lidhur me këtë deklaratë reagoi kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku i cili tha se në 20 vitet e fundit këta numra rriten më shumë se në vitin paraprak, shkruan Telegrafi.

 

“20 vitet e fundit të Kosovës, nuk ka vit që këta numra nuk janë më të lartë se viti paraprak. Edhe buxheti rritet çdo vit për 10%. Pra, jeni në trend të 20 viteve. Dhe kur flisni për rritje të eksportit, duhet t’u tregoni qytetarëve se edhe importi është rritur për 4.6 miliardë, pra nuk po rritet baza jonë prodhuese. Deficiti tregtar vazhdon të jetë i njëjtë”, tha Abdixhiku.

 

Ai theksoi sërish kërkesën e tij për një pako nga qeveria për t’i bërë më të përballueshme për qytetarët çmimet e produkteve.

 

“Ne po përballemi me një rritje të çmimeve përballë një pafuqie blerëse që ndryshon, dhe po kërkoj nga Qeveria një pako që e zbutë këtë përballje”, tha Abdixhiku.

 

Pas kësaj replikë pati edhe nga shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri. Ai tha se Qeveria po dëshiron që shtresën e mesme në Kosovë ta kthej në shtresë të varfër.

 

“A jeni tu e ni veten çka jeni tu fol. Po flisni për përqindje që është rrit ATK dhe Dogana, po jepni shifra thu që na jemi në Gjermani a Zvicër. A e dini që paga minimale është 170 euro, a e dini që gjitha produktet ushqimore janë rrit, keni thanë që ligjin e bini në mars e ende nuk ka filluar as konsultimet paraprake”, ka thënë Tahiri.

 

Ai i është drejtuar Kurtit se “e dimë që jeni i zgjuar, por kështu nuk veprohet”.

 

“Shtresën e mesme po dëshironi me kthy në shtresë të varfër, e të varfëritë me lëshu Kosovën. 60 mijë viza janë lyp. Ma kështu kryeministër, unë e di që ti je inteligjent, por kështu nuk veprohet”, tha Tahiri.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *