fbpx

Siguria në vend dhe deklarata e Kurtit për të përditshmen italiane, ekspertët: Nuk ka rrezik për luftë, por kërcënimet duhet të potencohen

Ditë më parë kryeministri i vendit, Albin Kurti në një intervistë dhënë për të përditshmen italiane “La Repubblica”, ka theksuar rrezikun që mund t’i shfaqet Kosovës nga Serbia, ndërkaq sipas tij edhe protestat e fundit në veri nuk ishin spontane por të organizuara nga Beogradi me mbështetje të Rusisë.

Deklaratat e Kurtit për të përditshmen italiane kanë nxitur reagimin e njohësve të fushës së sigurisë.

Para pushtimit të Ukrainës gjasat kanë qenë të pakta, tani situata ka ndërruar. Episodi i parë, rrjedhojë e idesë fashiste të pansllavizmit që ka Kremlini ishte Ukraina. Nëse do të ketë një episod të dytë, për shembull në Transnistria, atëherë gjasat që një luftë e tretë të ngjajë në Ballkanin perëndimor, e në Kosovë veçanërisht, janë shumë të larta”.

Ndërkaq, i pyetur se çfarë elementësh ka kur thotë se Moska komandon Beogradin në raport me Kosovën, Kurti është përgjigjur “Në 25 nëntorin e kaluar Presidenti Vuçiq ishte në Sochi, ishte takimi i nëntëmbëdhjetë me Putinin në dhjetë vite, mesatarisht takohen nga dy herë në vit. Nuk është normale për drejtues shtetesh. Në ata rast Vuçiqi pati thënë se: folëm për standardet e dyfishta dhe për hipokrizitë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Putin është i vetëdijshëm. Unë ia tregova në hartë veriun e Kosovës”.

Në pyetjen e La Repubblica nëse nga pikëvështrimi ushtarak ka vënë re lëvizje që e shqetësojnë, Kurti tha më tej “Vitin e kaluar patën planifikuar 91 ushtrime ushtarake të përbashkëta, e i realizuan 104 të tilla. Dy më të rëndësishmet quhen ‘Mburoja sllave’ dhe ‘Vëllazëria sllave’. Nga gusht të vitit 2001 Serbia ka vendosur përreth kufirit me Kosovën 48 baza të avancuara operacionale, 28 të ushtrisë dhe 20 të xhandarmërisë. Veteranët serbë janë bërë të gjithë pro rus. Si të thuash, rreziku është aty dhe po e paralajmërojmë”.

Ekspertët e sigurisë, Hajrullah Tërnava dhe Nuredin Ibishi, kanë deklaruar se Kosova nuk kërcënohet nga lufta.

Por sipas tyre, krerët e shtetit nuk duhet të cungohen në deklaratat ndaj rreziqeve të mundshme që vijnë nga Serbia apo agjenturat ruse.

“Ne nuk duhet të merremi tash nëse dikë e ka rrok panika pse kryeministri ka thënë ashtu. Ai është kryeministër dhe duhet sa nuk është bërë vonë me ngrit atë vetëdije. Mendoj se nuk është diçka e tepërt. Nëse ish bërë më e keqja dhe me ndërhy NATO-ja kishim thënë ku ishte ti pse nuk reagove më herët”, ka deklaruar Tërnava në “RTK.

Sipas tij, Serbia e ka të qartë se garancat e territorit të Kosovës i ka KFOR-i dhe NATO dhe e di fare mirë se çfarë ka ndodhur në vitin 1999.

Në anën tjetër, Nuredin Ibishi, ka thënë se nuk dëshiron ta interpretojë deklaratën e kryeministrit Albin Kurti, por mendon se në aspektin e sigurisë, Serbia nuk mund të nisë një luftë në Kosovë.

“Ne po themi se politikanët tanë duhet të jenë më të matur në aspektin e deklarimeve publike e politike. Por, pse të mos deklaron që është rreziku për luftë. Vuçiqi po thotë se kemi qenë para një rreziku më të madh ndonjëherë që nga përfundimi i luftës në Kosovë. E ka përdor atë retorikë nonstop”, ka thënë Ibishi.

Ndërkaq, njohësi i zhvillimeve politike, Arton Demhasaj, në një prononcim për Telegrafin theksoi se diskursi i tillë i kryeministrit është një tendencë për të tërhequr vëmendjen e publikut nga problemet e mëdha ekonomike që po kalon Kosova.

Demhasaj ka thënë se tendenca që me ngjall në publik idenë që jemi të rrezikuar nga një luftë potenciale nga Serbia është e pavend.

Sipas tij, përderisa në Kosovë sigurinë e ofron NATO nuk mund të pritet që Serbia të mendojë ta sulmojë Kosovën.

Ndryshe, lidhur me deklaratat e kryeministrit Kurti ditë më parë kanë reaguar edhe partitë opozitare në vend.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *