fbpx

Strategjia Kombëtare 2035, vizion dhe përgjegjësi”

GJENERAL PIRO AHMETAJ

Me definicion: “Strategjia është shkenca dhe arti i parashikimit, vlerësimit dhe balancimit të rreziqeve dhe oportuniteteve, për zhvillimin e integruar të 4 shtyllave të fuqisë kombëtare si dhe përmbushjen e objektivave strategjike të vendit”. Pothuajse çdo vend ka një dokument të SSK (Franca Librin e Bardhë) e cila harmonizon “objektivat, mënyrat dhe mjetet” për garantimin e sovranitetit territorial si dhe për mbrojtjen dhe zhvillimin e interesave kombëtare. E thënë edhe më qartë, pas Kushtetutës, SSK është dokument themelor i përgjegjshmërisë shtetërore ndaj vendit. Dokumenti i fundit i SSK të RSH është miratuar në 2014. Rishikimi periodik i saj mbetet jo vetëm parim bazë, që “imponohet” nga dinamika e ambientit të sigurisë, nevoja e peshimit të kërcënimeve dhe oportuniteteve strategjike, por edhe e përcaktuar në ligjin përkatës: “SSK rishikohet jo më vonë se 3 vite nga data e miratimit të saj”.

Rishikimi ciklik i SSK mbetet domosdoshmëri për të përditësuar sistemin, konsoliduar instrumentet dhe modernizuar kapacitetet e sigurisë kombëtare, për të reflektuar ndryshimet e konceptit strategjik si dhe përmbushur detyrimet në kuadër të NATO dhe UN.

Në ditët e sotme, rishikimi i SSK imponohet si “emergjencë” pas riciklimit të rreziqeve tradicionale (rasti i sulmit barbar të Rusisë ndaj Ukrainës) dhe para së gjithash për të përditësuar një standard të ri të demokracisë dhe sigurisë së qytetarëve në raport me lirinë.

Dokumenti i ri i SSK po formulohet nga një grup pune i ngritur nga Kryeministri, i cili drejtohet nga Zv.MPJ dhe ka si anëtarë zv.ministra, dhe zyrtarë të sigurisë nga të gjitha institucione/ Agjencitë. Besoj të gjithë e dimë, nuk duhet dhe nuk mundet të bëhet kështu një dokument nga më themelorët të seriozitetit të shtetit.

Në kapacitetin e eksperiencës në reformat e Sigurisë Kombëtare, Rajonale dhe NATO-s dhe si kontributor teknik në formulimin e SSK 2004 dhe 2014, po paraqes gjetje, parime si dhe 12 domosdoshmeri/këshilla kritike që shpresoj të konsiderohen në procesin e hartimit dhe miratimit të SSK 2035:

1. Vullnet, atmosferë, përpjekje dhe masa gjithëpërfshirëse jo vetëm në rrafshin e vendimmarrjes politike, por në të gjitha hallkat dhe fazat e përgatitjes së draftit. E thënë më qartë, grupi i punës nuk do duhet të përbëhet dhe as drejtohet nga thjesht “burokratë të emëruar”, por nga strategjistë/personalitete të mirënjohur, shtetarë të përgjegjshëm, patriotë të ditur si dhe me eksperiencë të spikatur në fushën e mendimit strategjik.

2. Gjithëpërfshirje dhe konsensus sa më i gjerë mbeten jetike për SSK. Në 30 vjet e kemi mësuar se një strategji pa konsensus dhe e prodhuar në frymë konfliktuale, mbetet një dokument i padobishëm, pra, një dokument inventar, që dublikon “pa kurrfarë lidhje” programin e qeverisë. Gjithsesi, unë vijoj të besoj se është plotësisht e mundur që për çështje të vendimmarrjeve strategjike të arrihet konsensus i gjerë. Thënë këtë, nuk e kam fjalën vetëm për numrat në sallën e Kuvendit, por përgjatë gjithë procesit të përgatitjes së produktit/draftit të Strategjisë që i paraqitet për miratim Kuvendit.

Nga ana tjetër, në shumicën dërrmuese të eksperiencave, objektivat strategjike tejkalojnë mandatin e një qeverie. Pra, është potencialisht e mundshme që objektivat e SSK të vijojnë të përmbushen nga një maxhorancë ose koalicioni tjetër. Është po ashtu fakt se në 3 dekada të përpjekjeve për ndërtimin e modelit shumë-partiak, të bazuar në parimin “check and balance”, një nga vlerat e gjithëpranuara që duhet të “gjunjëzohet” klasa politike shqiptare për qëndrime të përbashkëta për sa përket çështjeve të sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare, anëtarësimi në NATO, BE etj. Kjo qasje do të demonstronte pjekuri dhe përgjegjshmëri të klasës politike dhe po ashtu do kishte qenë një mesazh i fortë pozitiv për aleatet strategjik, SHBA, NATO, BE etj.

3. Vizion strategjik për të peshuar dhe balancuar skenarët e kërcënimeve të mundshme me potencialet e zhvillimit ekonomik si dhe projektuar Shqipërinë moderne përtej 2035. Prandaj në draftimin e SSK 2035, duhet angazhuar personalitete me ekspertizë të spikatur në fushën e politikës, ekonomisë, diplomacisë, inteligjencës, informacionit, mbrojtjes, gjenerale, emergjencave civile, policisë së shtetit, Akademia e Shkencave etj.

4. Konsultim me aktorët e shoqërisë civile, qendrat e studimeve strategjike, akademikë të mirënjohur dhe grupet e interesit është jo vetëm një “kërkesë në modë”, por para së gjithash një detyrim dhe provë e përgjegjshmërisë shtetërore, për të ndërtuar ura komunikimi ndërinstitucionale dhe për t’i dhënë dokumentit frymën e kohezionit kombëtar. Vendet perëndimore, për zhvillimin e dokumenteve strategjikë angazhojnë personalitete dhe institucione civile të specializuara. P.sh NATO, për konceptin Strategjik angazhon “grup të urtësh” dhe ekspertë me peshë strategjike dhe jo grupe pune nga “burokracia/zyrtarë të emëruar”!

5. Kohezionit mbarëkombëtar që konsideron lirinë, bashkëjetesën fetare dhe pronat, për të mbjelle harmoni me sfidat dhe oportunitetet që afron mjedisi mbarëkombëtar, rajonal, Mesdhe dhe ai Global. Nuk po them se do pyetet “çdo delinkuent i gjithëditur as puthadorët e shefit të radhës”. Organizimi i konferencave shkencore apo debateve publike për strategjinë, duke hapur edhe website të posaçëm, si ndodh në vendet e tjera, ku çdo qytetar i interesuar shpreh opinionet e veta.

Konsideron dhe konsultohet me vendet, Kolegjin e NATO-s Romë, “Qendrën Marshall”, për të nxjerrë një produkt që ka “certifikatën” e institucioneve elitare në fushën e mendimit strategjik.

E parë nga sa sipërpërmendur: çdo strategjie burokratike që do t’i mungonte gjithëpërfshirja, konsensusi dhe konsultimi “do mbetej në klasë si dokument inventar” dhe do t’i shkonte shprehja amerikane “breathing new life into dead reckoning”, ose e përkthyer, “të konsiderohet i/e vdekur pa e lindur ende”?

6. Peshon rreziqet konvencionale dhe dinamikën mjedisit të sigurisë. Ukraina na tregoi qartë se jetojmë në një realitet, ku krahas riciklimit të rreziqeve konvencionale ndaj integritetit territorial, kërcënimet po sofistikohen nëpërmjet përdorimit të formave të reja si referendumeve të mbështetura nga jashtë, rreziqet kibernetike, fondamentalizmit fetar, destabilitetit financiar, krimit të organizuar, qeverisjet e dështuara, etj.

7. Anëtarësimi në BE mbetet të rikonfirmohet si një aspiratë, mision, opsion i vetëm dhe projekt që i bashkon mbarë shqiptarët, rreth vlerave perëndimore, të drejtën e jetës, fjalës së lirë, besimit në fe, pronës dhe tregut te lirë. E thënë nga “Profesor Sami Repishti, një mendje me kthjelltësi atërore”, integrimi në bashkësinë euroatlantike dhe vlerave demokratike (BE/ 27 vende me 450 milionë banorë) është shprehje e aspiratës dhe “Fat i bardhë i së ardhmes së Shqipërisë dhe Kosovës”! E rivendosur kështu ne dokumentin e SSK – 2035, ky përcaktim strategjik mbetet detyrim kombëtar i panegociushem për aktoret dhe pushtetarët e përtej 15 viteve që vijnë.

8. Angazhimet në operacionet e mbështetjes së popullsisë civile në raste të emergjencave natyrore, industriale dhe njerëzore është e mirë përcaktuar ne kushtetutën dhe paketën ligjore të RSH. Ndërsa mbetet te përmirësohen mekanizmat e kontrollin civil demokratik te strukturave/agjencivë të SK pa lenë hapësira të përdorimit te pakontrolluar, të devijimit nga misioni kushtetues, si dhe për me keq për të shmangur shpërdorimit nga klientët e politikë të burimeve të mbrojtjes kombëtare.

9. Objektivat të shoqërohen me një Plan/ matricë veprimi me aktivitete, masa, përgjegjësi shtetërore të matshme dhe burimet financiare adekuate. Prandaj ndër gjetjet thelbësore mbetet konfirmimi i konceptit DIME (Diplomacy – Intelligence – Military -Economy). SSK-2035 do duhet të të projektoje ngritjen e një mekanizmi (p.sh Agjenci e Sigurisë Kombëtare), e cila do të shërbejë për t’u siguruar në kohë reale, Ekzekutivit/Autoriteteve shtetërore, peshën e kërcënimeve, si dhe do të luajë një rol thelbësor në formulimin e dokumenteve të Sigurisë Kombëtare (SSK, SU, PAZH), përgatitjen e paketës ligjore, monitorimin e realizimit të objektivave sipas matricës së detyrimeve nderinstitucionale, që i bashkëngjitet SSK.

10. Kohezion të pakushtëzuar, përmbushje e detyrimeve dhe përmirësimi i kredibilitetit të RSH në NATO. Shqiptarët e kanë tejkaluar perceptimin e NATO-s si ”robot alienësh që garanton falas paprekshmërimë territoriale të 30 vendeve anëtare. Ndërkohë që Aleanca ndan barrën si dhe balancon përballjen me kërcënimet dhe interesat e përbashkëta. Thënë këtë, si shembull, RSH duhet të rikonfirmojë në samitin e radhës se do të mbajë premtimin e rritjes se Buxhet të Mbrojtjes në 2% të GDP deri në vitin 2024.

11. Të presë dhe reflektojë gjetjet e Konceptit të Ri të NATO-s që do të miratohet në samitin e radhës (28-30 qershor 2022). Sami që për herë të parë mbas 73 vjetësh (1949) do të adresojë aleancën në raport me “sulmin banditesk të Rusisë kundër sovranitetit territorial të Ukrainës”, si dhe duke shkelmuar paqen dhe sprovuar jo vetëm rendin global, por edhe solidaritetin, fuqinë ushtarake interesat gjeopolitike të Aleancës Transatlantike (USA & NATO & BE)

12. Në shtesë, do t’i rikëshilloja publikisht dhe vëllazërisht aktorët politikë dhe faktorët institucionalë në Tiranë (dhe Prishtinë,) që për interesa jetike kombëtare “të përulen në gjunjë para historisë së përgjakshme si dhe përgjegjësive shtetërore, duke projektuar dhe zyrtarizuar një qasje të drejtë, të forte dhe historike në SSK-2035: “Dy shtete sovrane, një komb i vetëm” mbështetur mbi konceptin “Smart/ mençur” mbi sovranitetin, mbrojtjen dhe zhvillimin e interesave mbarëkombëtare. E ritheksoj se kjo “qasje e fortë, por e vonuar” nuk kërcënon asnjë vend, përkundrazi do të kontribuojë si balancë funksionale për paqen afatgjate të rajonit.

13. E thënë më qartë, në SSK-2035 (më tej edhe në Kushtetutë) do duhet të përcaktohet se: “Çdo sulm kundër sovranitetit territorial në Republikën e Shqipërisë konsiderohet e njëjtë edhe për Republikën e Kosovës dhe anasjelltas”! Për të tejkaluar një “kujdes të tepruar diplomatik”, sjellim shembullin e vendeve skandinave (Norvegji, Suedi, Finlandë); atyre baltike (Lituani, Letoni, Estoni) dhe të Vishegradit; qasjen zyrtare të Turqisë dhe Greqisë në raport me Qipron; rastin e marrëveshjes USA me Islandën (1951), etj.

Në mënyrë të përmbledhur, SSK-235, kërkon domosdoshmërisht: “Vizion afatgjatë dhe ekspertizë elitare; vullnet dhe konsensus politik të cilësuar; gjithëpërfshirje dhe konsultim të gjerë; kohezion mbarëkombëtar; kurajë dhe përgjegjshmëri të lartë shtetërore”.

Thënë sa më lart, ripërsëris detyrimin për të kontribuar me ekspertizë, përulësi dhe përgjegjshmëri shtesë në modernizimin e sistemit të sigurisë dhe zhvillimin e interesave mbarëkombëtare.

*Gjeneral Piro AHMETAJ, SENIOR EXPERT PËR SK, RAJONIN & NATO-N;

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *