fbpx

Mbështetje për Spitalin e Gostivarit nga BFI

Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi, me bashkëpunëtorë, ka qëndruar më 6 prill, 2020, në Myftininë e Gostivarit, ku janë pritur nga Myftiu h. Shaqir ef. Fetahu. Me këtë rast, drejtorit të spitalit të qytetit “Ferid Murat”, dr. Jakup Jakupi, i janë dorëzuar 3.000 maska, kontribut nga BFI për të përballuar sa më lehtë pandeminë e koronavirusit.
Reis’ul-Ulemaja është shoqëruar nga Myftiu i Myftinisë së Tetovës prof. dr. Qani ef. Nesimi, nga Myftiu i Myftinisë së Shkupit dr. Qenan ef. Ismaili, nga Sekretari i Përgjithshëm i BFI-së Irsal ef. Jakupi, nga Kryetari i OH “Hilal” Mustafa ef. Dauti etj.
Drejtori Jakupi ka falënderuar Reis’ul-Ulemanë dhe tërë BFI-në për donacionin e dorëzuar, duke thënë që BFI, përveç përkrahjes në ngritjen shpirtërore të qytetarëve, po gjen kohë që në këto momente të vështira për të gjithë, të ofrojë edhe ndihma materiale për institucionet publike.
Myftiu h. Shaqir ef. Fetahu ka thënë se Myftinia e Gostivarit i respekton me përpikëri vendimet e Reis’ul-Ulemasë, udhëzimet e institucionit të BFI-së dhe të organeve të saj në kushte të mbylljes së plotë të xhamive, mejtepeve dhe të instituteve islame, përveç të Ezanit, që vazhdon të këndohet nga ana e myezinëve.
Spitali i Gostivarit dhe Myftinia e këtij qyteti – është thënë me këtë rast – bëjnë përpjekjet maksimale për kapërcimin sa më lehtë të sëmundjes Covid-19. Me këtë rast është theksuar se të gjithë qytetarët duhet t’u përmbahen kushteve të gjendjes së jashtëzakonshme, të shpallur nga Qeveria, dhe udhëzimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Kreu i myslimanëve të Maqedonisë së Veriut, Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi, ka përgëzuar ekipet mjekësore të Gostivarit për menaxhimin e situatës, duke thënë që donacionet për Spitalin e Gostivarit janë vazhdimësi e donacioneve që BFI ka bërë dhe që do të bëjë në të ardhmen edhe për institucionet tjera. Ai po ashtu ka bërë lutje që Zoti i madhërishëm të ndihmojë në tejkalimin e krizës me virusin Korona.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *