fbpx

SYLEJMANI:”NDERIMI PËR AMERIKANËT,OBLIGIM KOMBËTAR”!

Të nderuar pjesëmarrës të këtij manifestimi kaq madhështor e kaq dinjitoz, para se të fillojë do të dëshiroja që në shenjë nderimi për dëshmorët e kombit, t’ju ftojë për një minut heshjte!
Lavdi!

Të dashur pjestarë të familjeve të dëshmorëve!

Të nderuar përfaqësues politikë dhe ushtarak të SHBA-ve!

Të nderuar përfaqsues të NATOS-s!

Të nderuar udhëheqës politikë dhe ushtarak të komunitetit botëror!

Të nderuar ushtarakë dhe ushtar të SHBA-ve!

Të dashur ish-ushtarëdhe ish-udhëheqës të UÇK-së, tani TMK!

Të dashur udhëheqës politikë shqipëtar nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe diaspora!

Motra dhe Vëllezër!

Zonja dhe Zotërinj!

Më lejoni që në emer të Këshillit Organizativ në përbërje: LPK, TMK, LKÇK, PPK, UNIKOMB, AAK, UPS, LBD, PQLK, LGJK, PNDSH, PLK, PSDK, PSHDK, PDT, PDK, LDK, SHPJ, SHBP, KMDLNJ, Kisha Katolike Shqiptare, Kosovatransi, SHHB “N.Tereze”, NTP “Bejta Comerc”, Bankos, Qendra e Kulturës, SHKA “Mic Sokoli”, Ansambli “Gurra”, estrada, SHKA “ Bajram Curri”, SHPS dhe në emrin tim personal t’ju përshëndes dhe t’ju uroj mirëseardhje!

Ky eveniment që po ndodh sot këtu në Gjilan, nuk është i rastit, prandaj si i tillë do të futet në analet e ngjarjeve tëhistorisë boterore, sepse një popull i vogël siç jemi ne shqiptarët, nderojmë me kaq respekt dhe pietet te veçant ndihmën e madhe dhe të pa kursyer të popullit , ushtris e udhëheqjes së lartë të SHBA-ve, në krye me presidentin e madh dhe të lavdishëm Bill Klinton.

Populli shqiptar gjatë gjithë historisë së tij ka ditur tëvlerësojë dhe çmojë lart, ndihmën kur i është dhënë nga miqtë e tij, por njëkohësisht ka ditur dhe di të bëjë dallimin në mes të atyre qe i kanë ndihmuar, për shkak të etikës dhe kodit moral njerëzor.

Amerika dha figurat e larta udhëheqëse të saj, në mesin e të cilave presidenti Klinton, sekretarja Ollbrajt, Gjenerali Klark, ambasadori Walker etj., bashk me aleatët e tjerë në Aleancën e NATOS-së në njërën anë dhe të së famshmës Ushtria Çlirimtare e Kosovës, në anën tjetër ndryshuan historinë dhe rrjedhat alogjike në Ballkan dhe konkretisht në Kosovë.

Nuk besojmë që do të gjendet qoftë edhe një shqiptar i vetëm, duke përjashtuar karrieristët, matrapazët dhe disa shqipfolës të paktë që shëtisin nëpër Serbi, që do të përbuzte atë që kanë bërë SHBA-të për Kosovën dhe shqiptarët.

Gjatë gjithë kohës sa zgjati lufta për liri, përveç UÇK-së, i vetmi presidenti Klinton i mbështetur pa rezervë nga kryeministri i Britanisë së Madhe, Toni Bler, ishte ai përsonalitet botëror që gjatë misioneve të tija të drejtpërdrejta i dërgonte popullit shqiptar mesazhet, kuptimi i të cilave ishte shumë domethënës: mbahuni, qëndroni, mos u dorzoni, ju jeni në rrugë të drejtë, në rrugën tuaj Zoti dhe Amerika janë me ju.

Cilët janë ata shqiptare, që sado pak t’u ketë rënë të shohin në ekranet televizive Klintonin e madh, e të mos i kujtojnë grushtin dhe gishtin që nga Uashingtoni dhe qendrat e tjera të botës i drejtoheshin kriminelit më të urryer të botës, xhelatit Millosheviq dhe pas këtyre kërcnimeve bombat dhe tomahoukat godisnin për vdekje bishën e tërbuar serbe.

Përpjekjet shekullore të popullit shqiptar per liri e pavarësi, për herë të parë në mënyrë të plotë dhe të gjithanshme, gjetën përkrahje të parezervë e të jashtëzakonshme të SHBA-të dhe duke qenë se u mbështetëm pa ekuivoke nga vendi më i fuqishëm dhe më i përparuar i rruzullit tokësor, sot jetojmë pa frikë se do të masakrohemi,por edhe me shpresë të madhe se e ardhmja do të jetë e lumtur dhe demokratike, ashtu siç është vetë Amerika.

Të nderuar pjesëmarrës!

Ëndrra për ta parë Kosovën të lirë,pa kriminel e xhelatë e paramilitarë serbë është bërë realitet. Prandaj, respekti dhe nderimi ynë për amerikanët do të shkojë gjithmonë, duke u rritur, ngase SHBA-të ishin të parët që dolën hapur kundër shfarosjes kolektive të popullit shqiptar.

Dhe jo vetëm që dolën hapur kundër asaj që na bënte Serbia dhe kriminelët serb, por ndihmoi me potencial të madh ushtarak për t’u gjunjëzuar krimineli Millosheviq dhe klika e tij gjakpirëse.

UÇK u bë e njohur, jo vetëm në saje te luftës heroike që bënte, por u bë e njohur ndërkombtarisht në përmasa të domosdoshme, vetëm atëherë kur përfaqsuesit e saj u ulën në një tryezë me diplomatët dhe ushtaraket e lartë amerikan.

Atëher kur amerikanët e njohën dhe e pranuan forcen ushtarake shqiptare të Kosovës, pasoi mbështetja totale ndërkombëtare ndaj luftës për liri që zhvillonim.

Populli shqiptar ka hyrë në rrugën e pakthim të mirëqenis, lirisë dhe demokracisë.

Duke e pasë brenda kufijve të atdheut tonë, fuqinë ushtarake dhe ekonomike të planetit, kemi pasë fatin e madh dhe të padiskutueshëm që të jemi në mesin e popujve të previlegjuar,sepse amerikanët janë kudo, por jo gjithkund investojnë kapitalin e djersës së tyre!
Kampet Bondstill dhe Mantith, janë dy dëshmitë më të padiskutuara se Amerika me Kosovën merret sinqerisht dhe seriozisht.

Për të qenë mundësitë reale të një zhvillimi dhe përparimi të domosdoshëm, në Kosovë nevojiten të realizohen shume objektiva prioritare me dimensione kardinale.

Kosova duhet dhe do t’i kthehet plotësisht realitetit normal, atij realiteti për të cilin me vite të tera kemi ëndërruar dhe luftuar.

Por, për të qenë plotësisht Kosova normale dhe për të qenë e gatshme të ecën në rrugën e vështirë, por të ndritur të demokracisë së mirfilltë, duhet të lirohen të burgosurit shqiptarë, që po mbahen nëpër burgjet dhe kazamatet serbe, duhet të gjenden të zhdukurit e shumtë shqiptarë, të zbulohen të gjitha varrezat masive, por duhet të ndalen vrasjet e pjestarëve të nacionalitetit serb, siç është rasti i fundit ne Cernicë, këso skenash nuk do të tolerojmë!

Të gjithë ata që me vepra të ndryshme njëllosin emrin e çdo shqiptari dhe denigrojnë lavdinë e betejave të shumta për liri të UÇK-së, duhet të nxjerren përpara drejtësisë.

Nuk duhet të lejojmë që për disa mendje të mykura e koka të krisura, të shkelim në gjakun,nderin, krenarinë, dhe bujarinë shqiptare,nuk duhet të vendnumërojmë, sepse të tillët kur ishte koha e luftës ose ua mbathën ose qëndruan në shtëpi si qyqarë,ndërsa tani kur lufta e armatosur i ka mbetur të kaluarës, duke vrarë qoftë edhe ndonjë kriminelë, e dëmtojnë procesin paqësorë, e vënë aleatin tonë të madh Amerikën në pozitë të disfavorshme, ngase nëpër duart e saj po shkaktohen plagë, të cilat nuk do të duhej të ndodhnin.

Nga kjo tribunë e nga ky vend, u bëj thirrje, jo vetëm bashkëkombasve të mi, por të gjithë pjesëtarëve joshqiptarë që jetojnë në Kosovë: të angazhohemi me tërë potencialin tonë modest në instalimin e demokracisë së vërtetë.

Garancë për të arritur një qëllim të tillë aq kardinal, e kemi kampionin e demokracisë botërore, Amerikën.

Me ndihmën e SHBA-ve, është arritur çlirimi i Kosovës nga forcat ushtarako-policore dha paramilitare serbe, ndërsa me Amerikën brenda në Kosovë do të realizohet pavarësia e Kosovës.

Falminderit

Ismet Sylejmani
31 Maj 2000 Gjilan

SHBA E US ARMY NË KOSOVË FITORE E SHEKUJVE PËR POPULLIN, ATDHEUN E KOMBIN SHQIPTAR

Jubile i madh dhe historik, 20 vjet nga tubimi në Gjilan, në nderim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës!

Më 31 Maj 2020 mbushen plot 20 vite nga tubimi që u mbajt në qytetin e Gjilanit, më 31 Maj 2000 në nderim të ardhjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë!

Gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Karadakut isha Shef për Informim i Zonës dhe pas hyrjes së NATO e pas çlirimit të Kosovës nga Serbia pushtuese, edhe Shef i Shtabit të Zonës së UÇK për Mardhënie me KFOR!

Takimet e mia të dendura me perfaqesuesit e KFOR-it që për fatin e Zonës tonë e mbulonin komplet forcat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës – US ARMY, bënë që unë të njihesha edhe për së afërmi në masë shumë të madhe me tërë qëndrimin madhorë për popullin shqiptar e për Kosovën, të oficerëve të lartë të Komandës së US ARMY të Kampit Bondstel në Sojevë dhe të Kampit Mantith në Gjilan!

Të gjitha ato takime të shumta në Komandën e Zonës së UÇK në Gjilan, në Kampin Bondstel në Sojevë e në Kampin Mantith në Gjilan dhe takimet e përbashkëta të komandave të Shtabeve të Zonave të Karadakut e të Nerodimes në qytetin e Ferizajt dhe takimet në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së në Prishtinë dhe në Shtabin e KFOR-it në Prishtinë, kishin lënë gjurmë të pashlyera te unë, sepse qëndrimi i oficerëve të lartë amerikan pro Kosovës në veçanti dhe pro çështjes shqiptare në përgjithësi, ishte shumë i madh dhe ishte për admirim maksimal, sepse ata herë pas herë shpalosnin respektin dhe dashurinë e madhe që kishin për popullin tonë, Atdheun e Kombin shqiptar!

Më vonë edhe takimet e mia që kam pasur gjatë gjithë kohës sa kam qenë Shef për Informim në Zonën e 6-të të TMK-së, gjithnjë e më shumë kamë mësuar e parë nga afër qëndrimet e mëdha proshqiptare e të jashtëzakonshme të ushtarakëve e ushtarëve amerikan!

Ndihma e madhe që na e kanë dhënë SHBA-të gjatë gjithë historisë dhe veçanërisht gjatë luftës së UÇK-së dhe bombardimeve të NATO-s mbi Serbi dhe njojha nga afër e imja me qendrimet proshqiptare të oficerëve të lartë amerikan në Kampet Bondstel dhe Mantith, ishin motivi im kryesor dhe qendrorë për të marrë inisiativen për të propozuar për mbajtjen e tubimit të parë dhe të fundit me të madhin në Kosovë, pas përfundimit të luftës së dhe pas hyrjes triumfale të KFOR-it të NATO-s në ballë me SHBA-të.

Ai tubim i madh atëherë e deri më tani kur po e shkruaj këtë shkrim në nderim të asaj ngjarje të madhe kombëtare, ishte dhe mbetet tubimi më i madh publik, i organizuar dhe me nivel të lartë të përfaqësimit në nderim të Amerikës në Kosovë!

Për të dëshmuar rëndësinë e madhe dhe seriozitetin e nderimit publik e popullor, në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Rrethit të Levizjes Popullore të Kosovës LPK-së me seli në Gjilan, ju dergova ftesë për takim konsultativ Komandës së Shtabit të Zonës së 6-të të TMK-së, të gjitha partive politike në Gjilan, Kishës Katolike Shqpitare me seli në Prishtinë dhe shoqatave e organizatave joqeveritare, shoqërive kulturo-artistike e donatorit kryesor të manifestimit firmës Bejta Comerc të mirënjohurit pronarit të saj, të ndjerit Bejtullah Kçiku!

Gjithashtu për atë eveniment që po organizonim, njoftova edhe Komandën e Shtabit të KFOR të US ARMY të Bondstillit në Sojevë dhe Mantithit në Gjilan!

Pas shumë takimeve të Këshillit Organizativ dhe pas përfundimit të të gjitha detyrave të dalura nga ana e Këshillit, erdhi 31 Maji 2000, dita e mbajtjes së tubimit, të cilin kishim vendosur ta mbanim në qendër të qytetit dhe ta emertonim “FUQIA PLANETARE NË KOSOVË!

Aprovuam LLOGON e manifestimit/tubimit, që ishte flamuri kombëtar shqiptar dhe portreti i Komandantit Legjendarë të UÇK-së Adem Jashari dhe flamurin e Amerikës dhe portretin e Gjeneralit Wesley Clark!

Aprovuam THIRRJEN për manifestim/tubim që përpos tekstit vendosëm edhe portretet e tri figurave qendrore të Amerikës, Presidentin Klinton, Sekretaren Albright dhe Ambasadorin Walker!

Aprovuam edhe NJOFTIMIN për manifestim/tubim në të cilën përpos tekstit vendosëm edhe foto të bombarduesve të ndryshëm të aviacionit të Amerikës, të cilët bombarduan armikun tonë shekullorë Serbinë!

Logon, Thirrjen dhe Njoftimin e manifestimit/tubimit, të cilat u përgaditën dhe u dizajnuan në shtypshkronjën pika 5A , ishin në kolor dhe u shtypën e u shpërndanë në shumë exemplarë në Gjilan me rrethinë dhe në tërë teritorin e Kosovës!

U bë mbulimi me mbulesën gjigante të tërë ndërtesës së djegur të Hotelit Kristal nga firma “Eksimor” e afaristit nga Malisheva e Gjilanit, z. Ridvan Ismaili, në të cilën shkruante në dy gjuhët, në anglisht dhe shqip: THANKYOU AMERICA – FALEMINDERIT AMERIKË!

Manifestimi filloi me ekzekutimin e himnit kombëtar shqiptar dhe himnin kombëtar amerikan!

Vlenë të theksohet se himni kombetarë amerikan, për herë të parë ekzekutohej para një mase mbi 50.000 njerëzish!

Në manifestim u mbajtën katër fjalime, në cilësinë e Kryetarit të Këshillit Organizativ, fjalimi i parë nga Ismet Sylejmani, pastaj Komandanti i TMK-së Gjeneral Agim Çeku, Kryeadministratori ndërkombëtar i Gjilanit z.Ivo Shans dhe nga viset, në emër të shqiptarëve nga Maqedonia e Veriut, ish-Kryetari i Komunës së Gostivarit, si kryetari i kohës së flamurit në Gostivar z. Rufi Osmani!

Pjesmarrja ishte masive!
Me shumë të drejtë mund të quhet tubim i madh popullor për Ameriken në Kosovë!

Morrën pjesë ushtarë e oficerë, përfaqësues të lartë të US ARMY!

Morrën pjesë personalitete e figura të shqura të jetës politike, kombëtare e shtetërore nga Kosova dhe e gjithë hapsira e viseve shqiptare!

U shfaq program i pasur kulturo-artistik nga shoqeritë kulturo-artistike të Gjilanit!

Për 5 orë i tërë qyteti i Gjilanit ishte i bllokuar nga forcat e ushtrisë amerikane!
Nuk kishte hyrje dalje të veturave në qytet!
Vendimi i Këshillit Organizativ që qendra e Gjilanit të mbyllej për lëvizje të automjeteve u aprovua dhe u ndalua qarkullimi i automjeteve!

Nuk kishte hyrje e dalje të veturave në qytet!
Gjilani ngjante në një festë të madhe e të vërtetë kombëtare!
Populli shqiptar, për herë të parë e në mënyrë aq masive, nderonte aleatin e tij të madh AMERIKEN!

Pas përfundimit të Manifestimit ” FUQIA PLANETARE NË KOSOVË”, sponzori gjeneral i manifstimit, afaristi i njohur dhe i nderuar i Gjilanit dhe i Kosoves Bejtullah Kqiku me firmen e tij “Bejta Comerc”, ne restaurant Kosiva ne Bresalc, shtroi drekë për mysafirët e shumtë që kishin ardhur nga të gjitha viset shqiptare!

Kjo ishte ngjarje e madhe!
Dashuria dhe respekti për Ameriken dhe për Ameriken në Kosovë, ishte dhe vazhdon të jetë e madhe, dhe të rritet e të kultivohen ndër breza në Kosovë dhe te tërë populli shqiptar!

Ismet Sylejmani,
Ish-Kryetar i Këshillit Organizativ!
Gjilan, 28 Maj 2020!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *