fbpx

Abetarja e përbashkët – Projekti me të cilin krenohen dy qeveritë vazhdon të mbahet fshehtë nga MASHTI

Kryeministri shqiptar Edi Rama dhe ai i Kosovës, Albin Kurti i patën mbledh kabinetet e tyre, në nëntor të vitit të kaluar, në Elbasan.

Në mesin e shumë marrëveshjeve të arritura – qeveritë e të dy vendeve ishin dakord edhe për krijimin e një Abetare të unifikuar – për nxënësit nga jugu deri në veri të të dyja shteteve shqipfolëse.

Gjashtë muaj pas, ende nuk dihet nëse libri për klasat e para është gati – pasi Ministria e Arsimit të Kosovës deri tash nuk ka zbuluar asgjë mbi projektin kombëtar – që fituesi është paraparë të shpallej në qershor.

Ministria e Arsimit nuk ka treguar se në cilën datë do të shpallet fituesi i konkursit për “Tekstin e vetëm të përbashkët-Abetare”.

Pavarësisht interesimit të Gazetës Insajderi, MASHT-i nuk ka treguar as sa shtëpi botuese kanë konkurruar për projektin në fjalë, sa është vlera e të njëjtit, dhe as dhe për sa vjet do të lidhet kontrata.

Zyra e ministres së Arsimit nuk ka zbuluar as se si do të bëhet përzgjedhja e kompanisë fituese dhe cilat janë kriteret që do të duhet t’i plotësojë fituesi.

Për të gjitha këto, ministria e Arsimit s’i ka njoftuar as operatorët konkurrues, madje as për atë se kur do të hapen vlerësimet e recensentëve, që sipas konkursit parashihen të jenë pesë nga Kosova, dhe pesë nga Shqipëria.

Këta të fundit janë zgjedhur më herët në Shqipëri, në baze të një shorti, i cili sipas pjesëmarrësve ka qenë transparent. Ministria e Arsimit të Kosovës nuk ka treguar as në bazë të cilave kritere janë zgjedhur të njëjtit, pavarësisht pyetjes së Gazetës Insajderi.

Puna më pas ka mbetur tek Komisioni i përbashkët vlerësues, Kosovë-Shqipëri, i cili e ka fuqinë ta shpallë fituesin e Abetares së vetme shqiptare.

Por, siç ka mësuar Gazeta Insajderi, kjo mund të ndodh vetëm pasi recensentët nga Shqipëria dhe Kosova t’i notojnë me pikë tri Abetaret e paraqitura nga konzorciumet aplikuese.

Emrat e anëtarëve të komisioneve vlerësuese të dy ministrive

Anëtarë nga Kosova dhe ata nga Shqipëria do të vendosin për Abetaren e vetme shqiptare, pas botimit të së cilës fëmijët këndej dhe andej kufirit do të kenë të njëjtin libër mbi tavolinat e tyre të shkollave.

Gazeta Insajderi ka mësuar emrat në duar të të cilëve është libri i Abetares.

Emrat e komisionit në Kosovë: Agim Berdyna, kryetar i komisionit; Isni Kryeziu, anëtar; Fehmi Zylfiu, anëtar; Feime Llapashtica, anëtare; Shqipe Gashi, anëtare; Arbër Salihu, anëtar – të gjithë këta janë punonjës në ministrinë e ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci.

Emrat e komisionit në Shqipëri: Zamira Gjini, kryetare e komisionit; Erzen Tola, anëtar; Mirela Bimo, anëtare; Anila Ferizaj, anëtare; Besnik Rama, anëtar; Erida Koleci, anëtare – të gjithë këta janë punonjës në ministrinë e ministres së Arsimit, Evis Kushi.

Çfarë ndodhi me Abetaren e përbashkët të vitit 2012?

Në vitin 2012, në një ceremoni festive në Prizren, dy kryeministrat e asaj kohe, Sali Berisha i Shqipërisë dhe Hashim Thaçi i Kosovës, promovuan një abetare të unifikuar. Sikurse tash, qëllimi i kësaj abc-je për fëmijët ishte që të mësohej si tekst i vetëm nga nxënësit e klasës së parë të të dyja vendeve.

Më 17 nëntor të atij viti, ish-kryeministri Berisha e quajti promovimin e Abetares së përbashkët si momentin më të rëndësishëm historik të kombit shqiptar.

Edhe ish-kryeministri Thaçi, pati thënë se Abetarja e përbashkët është libri bazë dhe më i rëndësishëm i kulturës dhe arsimit në gjuhën shqipe. Krijimin e Abetares së përbashkët ai e ka quajtur “arritje historike”.

​“Sot është një ditë historike për kombin, kulturën dhe qytetërimin shqiptar. Sot po e prezantojmë për herë të parë Abetaren e përbashkët të shqiptarëve, për herë të parë në historinë e kombit shqiptar. Kjo është e arritur historike. Është Abetarja e parë e përbashkët, e bashkautorëve nga Shqipëria dhe Kosova”, pati thënë Thaçi.

Ai kishte theksuar se promovimi i Abetares së përbashkët kishte ndodhur jo rastësisht në qytetin e Prizren, duke e quajtur këtë të fundit si kryeqytet shpirtëror të shqiptarëve.

Teksti fitues për Abetaren e përbashkët Shqipëri-Kosovë ishte përzgjedhur më 24 prill të vitit 2012.

Kjo Abetare ka katër bashkë-autorë, Shezai Rrokajn dhe Mimoza Gjokutajn nga Shqipëria, si dhe Islam Krasniqin dhe Saranda Kumonova-Pozhegun nga Kosova.

Ky tekst botohet nga një shtëpi botuese e Kosovës dhe një shtëpi botuese e Shqipërisë.

Abetarja e përbashkët ishte realizuar me nismën e dy ministrive të Arsimit, të Shqipërisë dhe Kosovës, gjë që do të vazhdojë edhe lidhur me unifikimin e teksteve të tjera shkollore.

Ministri i atëhershëm i Arsimit në Kosovë, Ramë Buja kishte thënë se e ka “besimin e palëkundur se (abetarja) do të jetojë gjatë”.

“Kur e filluam, nuk e kishim fare të lehtë as unë e as ministri Tafaj dhe as ata që në vazhdimësi u morën me këtë çështje. Madje, kishte edhe të atillë që mendonin se kjo ishte punë nuk bëhej, pra ishte e pamundur. Por, mbështetja e kryeministrave Berisha e Thaçi na bëri të mos njohim pengesa”, pati thënë ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *