fbpx

Basha i përgjigjet Ramës: Ik rri me familjen tënde në shtëpi!

Kreu i PD-së, Lulzim Basha shprehet se me qeverisjen e Edi Ramës Shqipëria ka mbetur në vendnumëro.

Në një reagim në Facebook, pas deklaratës së Edi Ramës se do një mandat tjetër për vendin dhe jo për vete, Basha ka listuar të gjitha problemet kryesore që ka sjellë për shoqërinë modeli qeverisës i Rilindjes.
Postimi i plotë i Lulzim Bashës në Facebook:

Edi, njerëzit e sojit tënd përpiqen t’i bindin të tjerët se po të kenë edhe 4 vjet kohë do të arrijnë gjithçka. Por e vërteta është se kjo nuk ndodh kurrë.

Nuk ndodhi as pas 4 viteve të para, por prapë i kërkove Shqipërisë të ta jepte timonin vetëm. E more edhe 4 vjet të tjerë dhe prapë e le në vend numëro.

Ti e ke lënë Shqipërinë në baltë, Edi.

Ekonomia ka ngecur.
Premtove ulje taksash dhe çmimesh por dështove dhe i rrite taksat dhe koston e jetës për çdo shqiptar.

Punësimi ka ngecur.
Premtove 300 mijë vende pune por dështove dhe largove qindra mijë nga puna.

Shëndetësia ka ngecur.
Premtove shëndetësi falas dhe e cove në kolaps e i grive shqiptarët nga xhepat para dhe gjatë pandemisë.

Hyrja në Europë ka ngecur.
Premtove hapjen e negociatave para 8 vitesh dhe vetëm sa shtove kushtet prej dështimeve të tua.

Edi ti kishe 8 vjet pushtet si askush para teje dhe pas 8 vjetësh vendi ka ngecur vendnumëro.

4 vite të tjera nuk të duhen për shqiptarët, sepse për ta nuk të bëhet vonë. 4 vjet të duhen për vete dhe ortakët e tu që pasurohen me milionat e tenderave dhe koncesioneve korruptive.

Shqipëria nuk e ka luksin të të japë edhe 4 vite të tjera, që të përfundojë sërish si në fund të këtyre 4 viteve. Ngecur vend numëro, pa të ardhme, pa shpresë, pa ëndrra.

Ik rri me familjen tënde.

Shqipëria do të ecë para dhe tani që të gjithë e dinë se kjo nuk mund të ndodhë me ty.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *