fbpx

Bashkëpunimi i Serbisë për rastet e krimeve të luftës, kriter për integrimin evropian

Edhe pse në paraqitjet publike zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian nuk e përmendin shpesh sikurse në të kaluarën, por përballja me të kaluarën, gjykimet e krimeve të luftës dhe bashkëpunimi rajonal midis ish-shteteve të Jugosllavisë në fushën e shkëmbimit të dëshmive, vazhdon të jetë një prej kritereve në procesin e integrimit në bllok.

BE-ja vazhdon të kërkojë nga vendet e rajonit që të kenë bashkëpunim të plotë me Mekanizmin Ndërkombëtar për Gjykatat Penale, që ka marrë përsipër çështjet e papërfunduara nga Tribunali i Hagës për krimet e luftës në territorin e ish-Jugosllavisë.

Por, përkundër thirrjeve të BE-së, progresi në këtë drejtim, siç thanë zyrtarët në Bruksel, “nuk ka qenë në nivelin e duhur”. Veçmas, sipas tyre, ka ngecje në bashkëpunim mes vendeve të rajonit në shkëmbimin e të dhënave dhe bartjen e rasteve. Ndërsa, tani është shfaqur edhe problemi i konfliktit të juridiksionit, sidomos në rastin e Serbisë.

Për shtetet fqinje të Serbisë, e sidomos për Kroacinë e cila prej vitit 2013 është anëtare e BE-së, është i papranueshëm i ashtuquajturi “juridiksioni universal” që Serbia e ka në ligjet e saj. Ky juridiksion i mundëson Beogradit që të gjykojë rastet e krimeve të luftës që dyshohet se kanë ndodhur edhe jashtë territorit të saj edhe ndaj njerëzve që nuk janë qytetarë të Serbisë.

Ky problem është rishfaqur ditëve të fundit me paralajmërimet e Serbisë se do të ngrehë aktakuzë ndaj katër ish-pilotëve të ushtrisë kroate, nën dyshimet se kanë kryer krime lufte në territorin e Bosnjë e Hercegovinës, duke sulmuar një kolonë të refugjatëve me etni serbe. Këto paralajmërime kanë rritur tensionet midis dy vendeve, teksa kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq, e ka quajtur këtë njoftim si “hap prapa në procesin e pajtimit”.

Pa përmbushjen e kushteve kalimtare nga ky kapitull, Serbia nuk mund të mbyll asnjë kapitull tjetër në procesin e bisedimeve për anëtarësim në BE.

Burimet në BE i thanë Radios Evropa e Lirë se “ka një nivel të bashkëpunimit, por ai gjithsesi duhet të rritet”. Edhe në dokumentet e bllokut, sikurse në atë për përmbushjen e kritereve nga Serbia në kapitullin 23, përmenden disa raste të bashkëpunimit që kanë dhënë rezultat, siç është transferimi i disa rasteve nga gjykatat në Bosnjë e Hercegovinë në ato në Serbi. Por, në të njëjtat dokumente thuhet se “bashkëpunimi midis Serbisë dhe Kroacisë nuk ka dhënë rezultate të prekshme”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *