fbpx

Kurti: Presidenti është në panik, Gjykata Kushtetuese nuk mund ta mbështesë atë pa e zhvlerësuar veten

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se presidenti i vendit, Hashim Thaçi është në panik dhe se Gjykatës Kushtetuese po i vijnë sulmet nga ata që janë në panik e që nuk po mund ta pranojnë rezultatin e 6 tetorit.

Kurti tha se ata nuk e kanë kërcënuar Gjykatën Kushtetuese dhe se nuk kanë bërë trysni ndaj askujt.

“Ne nuk kërcënojmë askënd nuk bëjmë trysni në askënd, ju e dini edhe në historikun e Lëvizjes Vetëvendosje ne jemi ata të cilët jemi kërcënuar vazhdimisht, jemi persekutuar vazhdimisht. Si kryeministër në detyrë sot mund të them se jam në mbrojtje të Gjykatës Kushtetuese, sulmet i ka prej diku tjetër, sepse ne e adresuam çështjen, tjetër kush është në panik, më 6 tetor ka ndodhur ndryshimi i madh, koha mbrapsht nuk kthehet dhe ata të regjimit të vjetër, që s’po duan ta pranojnë rezultatin e 6 tetorit, janë të njëjtit që tash janë duke i bërë këto insinuata në mënyrë që të ngelen edhe më tutje në pushtet”, u shpreh Kurti.

Kryeministri në detyrë tha se janë duke i përcjellëme vëmendje zhvillimet, duke theksuar se Gjykata Kushtetuese pa e zhvlerësuar veten nuk mund ta mbështes presidentin.

“Unë e kam shpjeguar qëndrimin tonë që ne po i përcjellim me vëmendje zhvillimet politike dhe Gjykata Kushtetuese nuk mund të mbaj anën e presidentit, pa e zhvlerësuar veten për shkak të aktgjykimeve të saj të mëhershme dhe për shkak të rasteve që nuk janë të ndryshme as formalisht dhe as materialisht të vitit 2010 dhe 2017. Unë dua që Gjykata Kushtetuese të lihet e qetë, të mos ketë këso kërcënimesh as ndaj kryeministrit e as ndaj kujtdo tjetër dhe me profesionalizëm dhe paanshmëri ta sjellin aktgjykimin, përkatësisht vendimin e drejt dhe meritor”, tha Kurti.

Kurti pas takimit me udhëheqësit e ndërmarrjes “Trepça”, gjithashtu përsëriti edhe njëherë se kërcënimi që e kishte pranuar dje, nuk ka të bëjë me të, por me Gjykatën Kushtetuese, pasi sipas tij presidenti është në panik.

“Ata që më kanë kërcënuar mua nuk mund ta kenë me mua, ata e kanë pasur me dikë tjetër, e kanë pasur me Gjykatën Kushtetuese, sepse duket se është në panik, presidenti të cilit po i humbet rasti, dekretet e Presidentit nuk mund të shndërrohet në shkrim të Kushtetutës, nëse Kushtetuta ngelet e heshtur për çështje të caktuara nuk mund ta flas presidenti për këtë. Dekreti i presidentit ndodhet në Gjykatë. Po e theksoj se me atë kërcënim që ka ardhur në adresën e kryeministrit e kanë ditur se me mua nuk funksionon do ta kenë pasur me tjetër kënd”, tha Kurti para medieve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *