fbpx

Nis zbatimi i marrëveshjes për reciprocitetin me dokumentet e identifikimit me Serbinë

Qytetarët nga Kosova të cilët udhëtojnë në drejtim të Serbisë nga pika e kalimit kufitar Jarinë dhe anasjelltas, janë duke udhëtuar lirshëm pa pasur nevojë për dokumente.

Edhe në pikat e tjera kufitare po zbatohet marrëveshja e arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, për dokumentet identifikuese më 27 gusht.

Qytetarët po udhëtojnë nga të dyja drejtimet duke përdorur vetëm letërnjoftimet e tyre.

Në këtë pikë kufitare nuk po lëshohet dokumenti për hyrje/daljet.

Në vend të ngjarjes, në pikën kufitare të Bërnjakut, është edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili po e përcjellë nga afër se a po respektohet marrëveshja.

Pjesëtarë të KFOR-it së bashku me automjetet e tyre janë pozicionuar në Rudare dhe afër Leposaviqit në drejtim të Jarinës, ndërsa nga ana e Bërnjakut, ata ndodhen në fshatin Çabër dhe Varage. Situata e përgjithshme e sigurisë në veri të vendit është e qetë, transmeton KP.

Marrëveshja për heqjen e dokumenteve për hyrje-dalje është arritur më 27 gusht, në mesin e tensioneve Kosovë-Serbi, pas vendosje së barrikadave nga serbët më 31 korrik në veri, duke bërë që diplomatët amerikanë dhe evropianë të shtonin angazhimin e tyre për arritjen e një marrëveshje për të shmangur dhunën.

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se në rast të mos zbatimit të marrëveshjes nga pala serbe, Prishtina zyrtare do t’i vendosë menjëherë masat reciproke, të cilat i kishte paralajmëruar në qershor.

Sa i përket masës tjetër, atë të regjistrimit të automjeteve, autoritetet kosovare kërkojnë nga pronarët e automjeteve me targa të tilla që t’i konvertojnë ato në RKS brenda një periudhe prej 61 ditësh.

Vlerësohet se 10.000 targa që lëshohen nga Serbia, me akronime të qyteteve të Kosovës qarkullojnë në veri, por marrëveshje për targat ende nuk ka, derisa zyrtarët evropianë kanë bërë thirrje që pas marrëveshjes për dokumente të ketë edhe një të tillë për targat.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *