fbpx

“Provokim i qartë, synon përkeqësimin e marrëdhënieve”- Ministria e Jashtme ruse reagon pas dëbimit të diplomatit nga Shqipëria: S’do mbetet pa përgjigje

Ministria e Jashtme ruse ka reaguar pas vendimit të Tiranës zyrtare që e dëboi diplomatin rus Alexey Krivosheev, i cili mban postin e sekretarit të dytë të Ambasadës ruse në Tiranë.

 

Përmes një njoftimi për mediat, Ministria e Jashtme shqiptare bëri me dije të enjten se diplomati rus që prej prillit thyente në mënyrë permanente masat e marra nga shteti shqiptar kundër Covid-19.

 

“Moska shpreh keqardhjen për vendimin e dëbimit të diplomatit rus nga Tirana“, i tha agjencisë ruse të lajmeve “RIA Novosti” zëvendësministri i Jashtëm rus Aleksandër Grushko.

 

“Ky është një provokim i qartë që synon përkeqësimin e marrëdhënieve ruso-shqiptare dhe, natyrisht, ky hap jo miqësor nuk do të mbetet pa përgjigje,” komentoi Grushko për “Ria”.

 

“Kjo është hera e parë që një diplomat rus përjashtohet në këtë vit të ri. Në vitin 2020, hapa të tillë u ndërmorën në Bullgari, Hollandë, Austri, Sllovaki dhe Republikën Çeke, ku më shpesh kishte akuza për spiunazh. Moska reagoi njësoj”, shkruan më tej artikulli.

 

VENDIMI I QEVERISE SHQIPTARE

 

DEKLARATË PËR SHTYP E MINISTRISË

PËR EVROPËN DHE PUNËT E JASHTME

 

Qeveria Shqiptare dëshiron forcimin e marrëdhënieve miqësore me Federatën Ruse, dhe shpreh keqardhje që vullneti i mirë i të dyja palëve është cenuar nga veprime individuale, të përsëritura të personelit diplomatik rus në Tiranë, në mosrespektimin e masave të marra nga autoritetet shqiptare, për mbrojtjen e popullsisë ndaj COVID-19.

 

Që prej muajit prill 2020, por dhe në fillim të këtij viti, Qeveria Shqiptare ka pasur ankesa dhe denoncime të vazhdueshme, mbi shkeljet e hapura të masava të marra nga ana e një diplomati të ambasadës së Federatës Ruse në Tiranë.

 

Përfaqësues të lartë të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme kanë kontaktuar me ambasadorin e Ambasadës së Federatës Ruse në Tiranë, Mihail Afanasiev, duke i bërë me dije shqetësimin për shkeljet e vazhdueshme të masave anti COVID-19 nga diplomati. MEPJ ka mirëpritur dhe e vlerëson thellë rolin plotësisht bashkëpunues të ambasadorit për këtë çështje, me premtimin se këto akte nuk do të përsëriten.

 

Fatkeqësisht, ndryshe nga premtimet, diplomati ka vijuar me shkeljen e masave, pavarësisht shprehjes së dëshirës së mirë të të dyja palëve për mos përsëritjen e shkeljeve.

 

Sfidimi i përsëritur i rregullave dhe masave mbrojtëse ndaj pandemisë, dhe shpërfillja e shqetësimeve të institucioneve të shtetit shqiptar lidhur me to, nuk mund të justifikohen e nuk mund të tolerohen më tej.

 

Me keqardhje, Qeveria Shqiptare ka marrë vendimin të shpallë “Person NON Grata” (person të padëshirueshëm), diplomatin Alexey Krivosheev, me detyrimin që të largohet brenda 72 orësh nga momenti i dhënies së njoftimit zyrtar.

 

Urojmë që ky vendim i imponuar nga mosrespektimi i ligjeve dhe rregullave të shtetit shqiptar, në një kohë kaq sfiduese për të gjithë globin, do të mirëkuptohet plotësisht nga pala ruse, si një masë e dosmosdoshme për mbrojtjen e shëndetit dhe sigurinë e të gjithë shtetasve brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, qofshin këta shqiptarë ose jo.

 

Sigurojmë palën ruse për ndjenjat tona miqësore dhe për gatishmërinë tonë, në vijim të punës së mirë të nisur, për përmirësimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve tona.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *