fbpx

“Të përgatitemi për situata dramatike me furnizimin me energji apo naftë”/ Rama: Jemi kthyer përmbys, pa dhimbje nuk ka luftë…

Kryeministri Edi Rama ‘ka ngritur’ alarmin sa i takon furnizimit me energji elektrike dhe  naftë në vend.Në një deklaratë për mediat, ai tha se lufta është reale dhe pasojat do jenë të prekshme  në vendin tonë duke paralajmëruar situatë dramatikë në sektorët ekonomikë.

“Lavdi Zotit nuk i kemi bombat mbi kokat tona, por bota është kthyer përmbys në 12 ditë, të jemi të qartë që nuk është film dhe duhet të përgatitemi psikologjikisht”-theksoi kryeministri  i vendit.

 

Pjesë nga deklarata

 

Rama: Duhet të jemi të vetdijshëm se në luftë nuk ka mundësi për të kërkuar të njëjtat gjëra si më parë dhe se duhet të përgatitemi për çdo skenar. Askush nuk e di sa do të zgjasë, jemi në kufijtë e të panjohurës, ashtu si me pandeminë kur nuk dinim dinamikën dhe u përgatitëm për disa skenare. E njëjta gjë është sot, kemi vendosur të ngremë Komitetin Special dhe jemi ulur qysh në ditën e parë për të përgatitur skenarët e mundshëm.

 

Skenari më i vështirë, duhet të përgatitemi psikologjikisht dhe për situata dramatike, furnizim me energji apo me naftë, edhe kjo mund të vijë, sepse zëvendësimi i burimeve prej vitesh të siguruara nga Rusia është jashtzakonisht i komplikuar.

 

Të gjitha këto shtrëngime, që uroj mos të kthehen në sakrifica reale të natyrës ekonomike, kanë një qëllim , të mbrojmë jetën e shëndetin dhe nga përshkallëzimi ushtarak i agresionit. Qëllimi tani është të mbrohemi, qeveria të mbrojë njerëzit. Nuk është një film, është luftë reale siç e keni parë në filmat e Luftës së Dytë Botërore, apo përpjekjet shtazarake për shfarosje në Kosovë.

 

Kjo është pamja e përgjithshme, nuk ju thashë asgjë të re por insistoj që të jemi të vetdijshëm se në 12 ditë bota ka ndryshuar, jemi kthyer përmbys, fatmirësisht bombat nuk janë mbi tokat tona, lavdi Zotit!

 

Por, impakti i asaj që po ndodh atje është i prekshëm këtu në ekonominë e vendit, pa dhimbje nuk ka luftë, të jemi të qartë. Nuk është në mundësitë tona që ta shmangim dhe me bindje se siç ia dolëm në dy përballje të tjera, nuk e zgjodhëm tërmetin as pandeminë, kjo është më e keqja nga të treja. Por me besim ja dalim!

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *