fbpx

U shpall fitues në Bashkinë e Shkodrës, reagon Bardh Spahia: Shkodra dha leksion demokracie, të hapur për të rikthyer të gjithë ato që…

Kështu e nis falenderimin e tij fituesi i bashkisë së Shkodrës në zgjedhjet e pjesshme, Bardh Spahia. Ai shkruan në rrjete sociale, se gara ishte e fortë, por fitorja u arrit falë frymës së krijuar nga lëvizja e Rithemelimit të PD.

Spahia shprehu një falenderim për ekipin e fushatës dhe të rinjtë që e kanë mbështetur. Nuk mund të mungonin në falenderim as familjarët, të cilët kryebashkiaku i ri e Shkodrës e quan veten me fat që i ka.

 

Postimi i Bardh Spahisë:

 

FALEMNDERS!

Në përfundim të kësaj gare plot emocione të forta, dua të shpreh respektin dhe mirënjohjen time të thellë për çdo bashkëqytetarë që më besoj me votë drejtimin e Bashkisë Shkodër, në këtë vit mandat!

Ishte ai bashkim i jashtëzakonshëm zemrash misionare, që frymoi ditë pas dite shpresën për ndryshim, duke sjellë fitoren tonë të përbashkët për Shkodrën tonë.

 

Çdo votë mbështetëse të 6 Marsit e ndjej si përgjegjësi të fortë, si vullnet për të përmbushur shpresat e bashkëqytetarëve të mi, për ta bërë Shkodrën, vendin ku mund të jetohet mirë, me punë dhe dinjitet.

E këtë do ta bëjmë edhe me ata që nuk më votuan, sepse siç e kam thënë edhe gjatë fushatës, Shkodrën e kemi të gjithë bashkë. Është krenaria jonë!

 

 

Kjo fitore është shprehje e qartë e besimit për ndryshimin, që nisi nga Shkodra, e që do të vijojë edhe në pjesën tjetër të Shqipërisë.

Është dëshmia më e pastër, se liria është një vlerë e panegociueshme dhe qëndresa ndaj të keqes mbetet një mision, që trashëgohet në Shkodër.

Nuk ishte një betejë e lehtë, përballë një regjimi që ka kapur çdo pushtet. Këtë e provoi direkt secili nga kandidatët e opozitës së vërtetë, “Shtëpisë së Lirisë”. Për më tepër, ishtë një garë që u zhvillua në kushte të pazakonta, e aspak të dëshirueshme për Partinë Demokratike, me rrugëtimin e të cilës jam rritur e formuar. Por motivimi ishte i lartë, njëlloj si fryma e krijuar nga lëvizja e Rithemelimit të Partisë Demokratike dhe koalicioni që e përfaqësoi në këto zgjedhje, “Shtëpia e Lirisë”. Mirënjohje për mbështetjen dhe angazhimin për këtë fitore!

Kjo fitore na tregoi se ne jemi shumica e në rrugën e duhur! Bashkimi i njerëzve të lirë gjeneron frymë dhe është garanci për fitore. Shkodra e dha këtë leksion demokracie, prandaj dera është e hapur për rikthimin e të gjithë atyre, që e gjejnë ende veten tek vlerat e lirisë, zgjedhjes e meritës, por edhe të kujtdo tjetër, që dëshiron të na bashkohet në këto parime.

 

Një falenderim i posaçëm i shkon ekipit tim të fushatës, të rinjtë me energji shpërthyese, që nuk janë dorëzuar asnjëherë krah meje, në betejat shumëvjeçare për Partinë Demokratike, e që punuan fort për fitoren e 6 Marsit! Jeni më të mirët!

Familjes sime, bashkëshortes, fëmijëve, nënës, vëllezërve e motrave, u jam mirënjohës e u mbetem borxhli si gjithmonë, prej ditës së parë kur kam hyrë në politikë. Jam me shumë fat që ju kam!

 

Tani është koha e punës, në interes të Shkodrës e banorëve të saj!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *