fbpx

Rasti “Subvencioni 2021”- policia arreston edhe 11 persona në gjashtë komuna

Policia e Kosovës ka arrestuar sot 11 persona të dyshuar për përfshirje në veprimtari penale.

Sipas njoftimit të policisë thuhet se të njëjtit janë arrestuar nën dyshimin për keqpërdorime në Agjensionin për Zhvillimin e Bujqësisë.

Të arrestuarit, dyshohet së janë përfshirë në veprat penale: keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar’, ‘marrja e ryshfetit’, ‘dhënia e ryshfetit’, ‘mashtrimi me subvencione’ ‘falsifikimi i dokumenteve zyrtare’ dhe ‘pengim i të provuarit apo procedurës zyrtare’.

“Tre nga të arrestuarit janë persona zyrtar, ndërsa tetë persona të dyshuar janë përfitues subvencionesh të cilët dyshohet se kanë përfituar subvencione përmes dhënies së ryshfetit dhe falsifikimit të dokumenteve”, thuhet në njoftim.

Pas intervistimit të të dyshuarve, më aktvendim nga prokurori, të njëmbëdhjetë të dyshuarit dërgohen në mbajtje deri në 48 orë.

Aksion i policisë në rastin “Subvencionet”

Kujtojmë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 15 janar të vitit 2021 kishte nisur veprimet e para hetimore në drejtim të hetimit të disa zyrtarëve të Agjencisë për Zhvillim Bujqësorë në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, pas dyshimeve për dallavere me subvencione.

Më 24 dhe 25 shkurt 2021, Policia e Kosovës Drejtoria për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, realizoi bastisje në Ministrinë e Bujqësisë ku në kuadër të saj është Agjencioni i Pavarur për Zhvillim të Bujqësisë.

Bastisje në atë kohë pati edhe në Istog, Gjilan, Podujevë e Lipjan, ku në përfundim të operacionit në pranga përfunduan 21 persona nën dyshimin për keqpërdorime të fondeve dhe subvencioneve, si dhe u sekuestruan 400 mijë euro.

Aksionet në kuadër të rastit “Subvencionet 2021” nuk përfunduan me kaq. Një tjetër aksion u realizua më 1 mars 2021, në rajonin e Pejës, ku u arrestua zyrtari i Drejtorisë së Bujqësisë në këtë komunë.

Policia nuk ishte ndalur me kaq, aksioni kishte vazhduar përgjatë vitit 2021 edhe disa herë të tjera. Më 30 qershor 2021, policia kishte zhvilluar aksion sërish në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë. Gjatë këtij aksioni ishin arrestuar edhe 21 persona të tjerë në mesin e tyre 14 zyrtarë.

Arrestimit edhe të 31 personave të tjerë për keqpërdorime me subvencione, i parapriu sërish një aksion i zhvilluar më 3 dhjetor 2021, në disa lokacione të ndryshme të Kosovës.

Prokuroria Speciale kishte njoftuar se nga ky aksion janë ndaluar dhe intervistuar gjithsejtë 31 persona, prej tyre 12 zyrtarë me pozita të ndryshme nga komunat dhe zyrat rajonale të Agjencionit Zhvillimor të Bujqësisë dhe zyrës rajonale të APK.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *